Instituti i Vjenës: Shqipëria kryeson rajonin për investimet publike, por prodhimi mbetet pas
Shqipëria kishte investimet publike më të larta mes katër ekonomive të Ballkanit Perëndimor të përfshira në analizë, me mesatarisht 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë periudhës 2021-2025.
Por kjo peshë e lartë e kapitalit publik nuk shoqërohet me të njëjtin intensitet investimesh private dhe as me një nivel të lartë investimesh në makineri e pajisje, ku Shqipëria mbyll renditjen e vendeve të krahasuara.
Sipas të dhënave të Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, investimet private në Shqipëri ishin mesatarisht 19.4% e PBB-së, duke e çuar formimin e përgjithshëm të kapitalit fiks në rreth 25.4% të PBB-së. Struktura ndryshon ndjeshëm nga Kosova, ku investimet private arrinin në 28.3% të PBB-së, ndërsa ato publike në 3.9%.
Edhe Serbia kishte një peshë të lartë të investimeve publike, prej 5.6% të PBB-së, por investimet private ishin më të ulëta se në Shqipëri, në 17.9%. Në Maqedoninë e Veriut, investimet private përbënin 20.9% të PBB-së dhe ato publike vetëm 3%. Të dhënat tregojnë se Shqipëria dhe Serbia mbështeten më shumë te komponenti publik, ndërsa në Kosovë pjesa më e madhe e investimeve vjen nga sektori privat.
Kontrasti më i fortë për Shqipërinë shfaqet në strukturën e kapitalit. Investimet në makineri, pajisje dhe sisteme armatimi përbënin rreth 6% të PBB-së, niveli më i ulët ndër 16 ekonomitë e paraqitura në raport. Në Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi kjo kategori arrinte afër 10% të PBB-së, ndërsa në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut ishte rreth 8%.
Makineritë dhe pajisjet kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe modernizimin e ndërmarrjeve. Pozicioni i Shqipërisë në fund të renditjes tregon se pesha e lartë e investimeve publike nuk është përkthyer në një nivel të krahasueshëm investimesh në pajisje prodhuese.
Edhe ndarja sipas sektorëve tregon një çekuilibër. Investimet e kryera në administratën publike, mbrojtjen dhe sigurimet shoqërore të detyrueshme arrinin rreth 5% të PBB-së në Shqipëri, ndërsa investimet në industrinë përpunuese ishin vetëm rreth 1.5%. Në informacion dhe komunikim, niveli mbetej nën 2% të PBB-së.
Kjo do të thotë se investimet në sektorin e administratës dhe mbrojtjes ishin më shumë se tri herë më të larta se në industrinë përpunuese. Treguesit matin formimin bruto të kapitalit fiks sipas sektorit ekonomik, pra ndërtesat, pajisjet dhe aktivet e tjera afatgjata, dhe jo shpenzimet e zakonshme të funksionimit të administratës.
Në Serbi, investimet në industrinë përpunuese arrinin afër 4% të PBB-së, ndërsa informacioni dhe komunikimi kalonin 2%. Bosnjë-Hercegovina gjithashtu kishte investime në industri pranë 4% të PBB-së, dukshëm mbi nivelin e Shqipërisë.